Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), nëpërmjet një deklarate për shtyp, bëri të ditur se pas thuajse 3 javësh nga agresioni kibernetik, shërbimet online për qytetarët dhe bizneset janë normalisht të aksesueshme. Aktualisht, 1214 nga 1225 shërbime online që jepen në platformën e-Albania, mund të përdoren nga qytetarët dhe bizneset me të njëjtën shpejtësi dhe lehtësi si më parë, përcjell “RTSH”.

AKSHI bëri të ditur se stafi i inxhinierëve po punon për të kthyer në normalitet dhe shërbimet e fundit të mbetura siç janë: njehsimi i diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja; vërtetimi i pagesës së aftësisë së kufizuar, si dhe kryerja e pagesave të ujit dhe energjisë elektrike.

Nga dita e hënë do të mund të aplikohet edhe për Leje Ndërtimi (e-Lejet), vlerësimi të ndikimit në mjedis dhe përdorimit të burimeve ujore.

Në njoftim thuhet se gjithashtu është funksionale edhe posta elektronike zyrtare për të gjithë punonjësit e administratës. Janë forcuar mekanizmat e sigurisë së e-mail-it zyrtar, si dhe është bërë kalimi i çdo mailbox-i në infrastrukturën “cloud”.

“AKSHI shpreh mirënjohje për të gjithë punonjësit e ekipit që ia dolën të rikuperojnë në një kohë rekord shërbimet publike online, si dhe skuadrën speciale të “Microsoft” për ndihmën gjatë gjithë këtyre ditëve”, -thuhet në njoftimin për shtyp. (Irma)