Qeveria shqiptare, në qershor të këtij viti, miratoi fondin prej 1 milion euro për Ukrainën. Premtimi u bë në Konferencën e Donatorëve. Tashmë, Ukrainës i është dorëzuar fondi nga ana e qeverisë shqiptare. Lajmi është bërë i ditur nga ambasadori ukrainas në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, përcjell “RTSH”.

Ministria e Financave e Ukrainës, në bashkëpunim me Ambasadën e Ukrainës në Shqipëri, siguruan marrjen e ndihmës financiare në llogaritë e Shërbimit Shtetëror të Thesarit të Ukrainës.

Ambasadori Shkurov informon se ky fond do të përdoret për shpenzimet prioritare të Ukrainës.

“Mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë përshpejton rimëkëmbjen e Ukrainës. I jemi mirënjohës qeverisë së Shqipërisë për ndihmën pas nisjes së konfliktit me Rusinë. Këto fonde do të forcojnë stabilitetin e sistemit financiar të Ukrainës”, -tha ministri i Financave të Ukrainës, Serhiy Marchenko. (Irma)