Foto: Margaritit Facebook

Foto: Margaritit Facebook

Të tjera gjetje e fakte kanë dalë në dritë nga projekti kërkimor-shkencor i Amfiteatrit të Durrësit. Pavarësisht temperaturave të larta, procesi i gërmimeve vazhdon për njohjen e mëtejshme të trashëgimisë arkeologjike.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në faqen e saj zyrtare njoftoi se gjatë ekspeditës 4-javore, ku morën pjesë arkeologë, studentë italianë dhe shqiptarë, u arrit zbulimi i vazhdimit të disa prej galerive të amfiteatrit, si edhe gjurmët e një furre mesjetare, që sipas drejtueseve të projektit mund të datohet në periudhën e hershme apo të mesme mesjetare.

Gërmimi nxori një numër të shumtë gjetjesh, kryesisht qeramike dhe materiale të imëta, që përforcojnë imazhin e një vendbanimi portual, shumë të gjallë, nga pikëpamja e marrëdhënieve tregtare, pas përfundimit të antikitetit dhe që tregojnë historinë e këtij qyteti magjepsës.

Projekti i gërmimeve bashkëdrejtohet nga dr. Elvana Metalla (Instituti i Arkeologjisë) dhe dr. Sonia Antonelli (Universiteti Chieti, Itali). (Elona)