Foto: VCG

Foto: VCG

Kërkesa për mallrat kryesore të konsumit kanë sjellë rritjen e zhdoganimeve dhe të ardhurave nga doganat për buxhetin e shtetit.

Shifrat zyrtare tregojnë se doganat kanë shënuar një rekord të të ardhurave të mbledhura në një muaj, duke iu afruar shifrës 20 miliardë lekë, shuma absolute më e lartë e arritur në historinë e administratës doganore në një muaj, bën të ditur “RTSH”.

Të dhënat operative nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se në muajin korrik 2022 të ardhurat u realizuan në masën 170 milionë euro. Krahasuar me korrikun 2021 ka një rritje me rreth 14.4%.

Ndër arsyet kryesore vlerësohen rritja e performancës së administratës doganore në shërbim të biznesit dhe qytetarëve, digjitalizimi i shërbimeve dhe rritja e zhdoganimeve të mallrave të akcizës gjatë korrikut kryesisht nga sasia rekord e konsumit të cigareve prej 277 tonë, kafesë rreth 600 tonë, birrës rreth 12.250 litra etj.

Si periudhë 7mujore, doganat kanë realizuar 122.7 miliardë lekë të ardhura ose rreth 5.5 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar.

Në krahasim me 7 mujorin 2021 janë realizuar rreth 20.8 miliardë lekë më shumë ose rreth 20.4% më shumë. (Elona)