Foto: A2

Foto: A2

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaroi se gjatë kësaj periudhe vere janë menaxhuar 400 vatra zjarri në gjithë vendin, pa asnjë jetë dhe banesë të humbur.

“Kemi mundur të menaxhojmë 400 vatra zjarri pa asnjë jetë të humbur. Prioriteti janë jetët e njerëzve, pastaj banesat. Asnjë banesë deri më sot nuk është dëmtuar, ndonëse nuk kemi një numër kaq të madh vatrash. Kemi pasur dëmtime në bimësi, por jo zjarre në zona të mbrojtura, pyje, pasuri natyrore”, -deklaroi ministri Peleshi gjatë një takimi me kryetarët e bashkive të vendit, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, bën të ditur “RTSH”.

Ministri Peleshi tha se vazhdojnë të jenë aktive disa vatra zjarri, për të cilat po punohet për t’u vënë nën kontroll.

Ai theksoi se është bërë një punë shumë e madhe nga toka e ajri, dhe me ndërhyrjen e Forcave të Armatosura, zjarrfikës e forca të bashkisë.

“Nuk kursejmë asgjë, nuk kemi kursyer asgjë, deri tani janë angazhuar 6997 forca, pra një ushtri e tërë është angazhuar në fikjen e zjarreve”, -tha Peleshi. (Irma)