Foto: VCG

Foto: VCG

Prej 1 gushtit qytetarët me pasaportë shqiptare që futen në Shqipëri nga Aeroporti i Rinasit do të kalojnë në barrierën digjitale për leximin e pasaportës në një proces që zgjat më pak se 30 sekonda.

Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili ka thënë se ky vendim vlen edhe për qytetarët e BE, SHBA, Britanisë së Madhe dhe Kanadasë, pasi siç theksoi kreu i qeverisë për qytetarët nga vende të tjera do të ketë proces kalimi me lexim manual të pasaportës, raporton “RTSH”.

Përmes një postimi zyrtar në rrjetet sociale, kryeministri Rama tha se Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” tashmë ka një terminal të ri, duke rritur kështu në mënyrë të konsiderueshme kapacitetet përpunuese, duke shtuar 8 porta të reja dhe duke futur teknologjinë në leximin e pasaportave.

“Është vënë në punë sistemi i ri teknologjik i leximit të pasaportave në hyrje, falë angazhimit të ministrit të Brendshëm, policisë së Shtetit dhe kompanisë, e cila që në ditën e parë të nënshrkimit të marrëveshjes së re, pasi bleu nga koncesionari i mëparshëm të drejtën e operimit, është angazhuar në të gjithë frontin e punëve që duhen bërë në këtë aeroport. Kjo do të lehtësojë fluksin e hyrjeve. Sot jemi shumë më tepër të sigurt në mënyrë se si operohet, ashtu sikundër falë një plani pozitiv dhe gatishmërisë së operatorit për ta zbatuar, është shtuar numri i punonjësve të sigurisë. Kjo bëhet për rritje të cilësisë së shërbimit për pasagjerë”, -tha Rama. (Irma)