Foto: Facebook Kryeministria e Shqiperise

Foto: Facebook Kryeministria e Shqiperise

Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez u prit në Tiranë me një ceremoni zyrtare nga kryeministri Edi Rama.

Në ambientet e Kryeministrisë, gjatë një konference të përbashkët shtypi, shefi i qeverisë shqiptare falëndëroi Spanjën për mbështetjen e dhënë ndaj Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian.

“Pas hapit historik të çeljes së negociatave për anëtarësim në BE, na vjen mirë dhe dëshiroj që publikisht ta falënderoj kryeministrin spanjoll për mbështetjen pa rezervë të Spanjës në këtë proces. Sot Spanja është tërësisht e angazhuar në mbështetje të këtij procesi dhe ka qenë një nga aktorët për të zëshëm për të çelur negociata me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne kemi një pritshmëri nga Spanja e cila do të udhëheqë presidencën e BE-së në vitin 2023. Gjatë takimit folëm me kryeministrin për rajonin, të cilin ai po e viziton, për nismat rajonale, për mënyrën se si mund ta integrojmë këtë proces nismash rajonale me procesin që nis me idenë e komuniteti të ri politik evropian”, -tha Rama.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, mbështeti integrimin e Shqipërisë dhe tha se nuk mund të kuptohet BE-ja pa Ballkanin. Sipas tij, BE-ja nuk është thjesht një klub vendesh, por një komunitet vlerash dhe parimesh.

“Uroj që rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian të jetë e suksesshme. Nuk mund të kuptohet BE-ja pa Ballkanin. Mendoj që është një ide pozitive që përveç proceseve të aderimit është e mirë ideja e krijimit të këtij komuniteti evropian, sepse kështu do të kemi mundësi të vendosim këtë marrëdhënie në një nivel politik. Ne e shohim me interes këtë dinamikë pozitive që gjenerohet mes vendeve që duan të hyjnë në BE dhe janë tashmë në BE. Bashkimi Evropian nuk është thjesht një klub vendesh, por është një komunitet vlerash dhe parimesh. Në të, na nxë të gjithëve. Ne kemi nevojë të zbatojmë rregulla të përbashkëta për të arritur këto qëllime”, -tha kryeministri spanjoll.

Vizita e kryeministrit spanjoll Sanchez në Tiranë zhvillohet në kuadër të një turi në disa shtete të Ballkanit Perëndimor, që përfshin Serbinë, Malin e Zi, Bosnje Hercegovinën dhe Maqedoninë Veriut. (Irma)