Senatori italian Tommaso Nannicini (Foto Rtsh)

Senatori italian Tommaso Nannicini (Foto Rtsh)

Senatori italian Tommaso Nannicini, që ndërmori nismën për njohjen e pensioneve të shqiptarëve, deklaroi se fondi i destinuar për këtë marrëveshje, mund të jetë i vlefshëm nga data 1 janar 2023.

Gjatë një interviste për “RTSH”-në, senatori italian u shpreh otimisht për këtë nismë, ndërsa theksoi se do të ketë bisedime teknike për përcaktimin me Institutet e Sigurimeve Shoqërore të të dyja vendeve, për një bazë të dhënash.

Senatori Nannicini e cilësoi një lajm të mirë për të gjithë punëtorët shqiptarë të cilët kanë punuar për shumë vite në Itali dhe nuk u është njohur asnjëherë e drejta e tyre për të përfituar pensionet. Sipas tij, një ndryshim i bërë në ligjin për buxhetin e shtetit italian ka akorduar një fond shtesë prej 200 milionë eurosh pikërisht për të përballuar shpenzimet që rrjedhin nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje. “Duke filluar që nga viti 2023, shtetasit shqiptarë, por edhe ata italianë, më në fund mund të përfitojnë pensionet, një e drejtë kjo që u ishte mohuar prej vitesh”, -theksoi senatori italian.

“Nuk ka një një numër të saktë për momentin, por bëhet fjalë për qindra mijëra shtetas të cilëve prej vitesh u janë mohuar të drejtat e tyre për përfitimin e një pensioni dhe uroj që në vitin e ardhshëm ata që i kanë përmbushur kushtet në përputhje dhe me rregullat dhe normativat që janë në fuqi mes dy vendeve përkatëse, të mund të përfitojnë të drejtën e pensionit. Sigurisht, numri do të ndryshojë ndër vite, sepse të gjithë ata punonjës që do të vijojnë në veprimtarinë e tyre të punës, në momentin që do të arrihet mosha e pensionit, mund të përfitojnë pensionin e tyre falë kësaj marrëvshje”, -bëri të ditur senatori italian.

Sipas tij, i vetmi kusht për të përfituar nga kjo marrëveshje është që shtetasit shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, apo shtetasit italianë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, të kenë derdhur rregullisht kontributet në shtetet përkatëse. (Irma)