Foto: RTSH

Foto: RTSH

Kryeministri Edi Rama, duke folur për krizën energjetike me të cilën po përballet bota, ritheksoi se do të jetë e vështirë për Shqipërinë që të gjejë sasinë e nevojshme për të përballuar të gjitha nevojat. Ndërsa inspektoi punimet në kantierin e portit të ri në Vlorë, kryeministri Rama tha se çmimi është rritur shumë, por theksoi se sfida do të jetë rënia e volumit të mundshëm për t’u blerë, bën të ditur “RTSH”.

Kryeministri vuri theksin edhe te synimi për ta kthyer Shqipërisë në eksportuese të energjisë. Sipas tij, ku tha se do merren masa që vendi të hyjë në një fazë sovrane nga pikëpamja energjetike.

“Do të marrim masat që Shqipëria të hyjë në fazë tjetër duke u bërë sovrane nga pikëpamja energjetike dhe duke u kthyer eksportues neto, por kemi një fazë tranzicioni që duhet të bashkojmë të gjitha gjërat që janë përgatitur për kaq kohë dhe të krijojmë sinergji. Isha dhe në Athinë ku u takova dhe me princin e Kurorës së Arabisë Saudite dhe u lidh marrëveshja për të sjellë interkonjeksionin nga Arabia Saudite në Greqi dhe për t’i shitur Greqisë dhe kësaj zone energjinë diellore që kanë në plan ta prodhojnë në sasi marramendëse. Jemi në kushte pozitive. Ajo që vlen është se do të vijë momenti që nuk do të kemi më nevojë të importojmë por të eksportojmë”, -deklaroi kreu i qeverisë shqiptare.

Kryeministri bëri të ditur po ashtu se brenda gushtit, në portin e Vlorës do të instalohen edhe dy anije prodhuese të energjisë elektrike. (Irma)