Ballkani i Hapur (Foto RTSH)

Ballkani i Hapur (Foto RTSH)

Në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, Shqipëria do të furnizojë me qymyr Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut që ato të prodhojnë energji elektrike brenda rajonit në kushtet e krizës energjetike, ndërsa ato do të heqin kufizimet për të furnizuar Shqipërinë me grurë, misër dhe vaj me kushtin që këto produkte mos të rishiten në treg tjetër.

Vendimi është marrë në një takim të përbashkët të ekipeve të punës në Tiranë. Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, tha se do të eliminohen tavanet eksportuese drejt Shqipërisë të furnizimit me grurë, misër dhe vaj, bën të ditur “RTSH”.

“Gjatë këtij takimi ne vendosëm të angazhohemi për të eliminuar çdo kuotë të vendosur mbi furnizimin për mallrat e lidhura me sigurinë ushqimore, pala maqedonase angazhohet për të hequr bllokimin e vendosur për produktet eksporteve ushqimore javën shkoi dhe pala serbe të eliminojë tavanet eksportuese drejt Shqipërisë për produktet e grurit dhe misrit të vendosura me vendim të Këshillit të Ministrave, ky memorandum do të nënshkruhet në Serbi në fillim të shtatorit”, -tha Krifca.

Këto vendime të ekipeve të punës do të materializohen në marrëveshje në mbledhjen e qeverive në 1 shtator që do të zhvillohet në Beograd, ku do të mbahet samiti i radhës i “Ballkanit të Hapur”. (Elona)