[Foto:VCG]

[Foto: Visual People]

Ura e Peljesakut, që do të hapet për trafikun më 26 korrik, është një projekt i spikatur për promovimin e pajisjeve, teknologjisë dhe njohurive kineze në industrinë e ndërtimit në Kroaci dhe do të thellojë marrëdhëniet reciproke të dobishme midis Kinës dhe Kroacisë dhe Bashkimin Evropian, deklaroi për “Xinhua”, ambasadori kinez në Zagreb, Qi Qianjin.

Projekti është mbështetur dhe ndjekur me interes dhe vlerësim të madh nga drejtuesit e Kinës dhe Kroacisë, tha Qi, duke vlerësuar sipërmarrjet kineze që kanë kapërcyer ndikimin e pafavorshëm të pandemisë dhe kanë përfunduar projektin sipas planit. Ai e quajti Urën e Peljesakut simbol të bashkëpunimit të frytshëm midis Kinës dhe Kroacisë në kuadër të një skeme më të gjerë bashkëpunimi midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (Bashkëpunimi Kinë-EQL).

Ambasadori theksoi se ky është projekti më i madh infrastrukturor i ndërmarrë deri më tani nga pala kineze në Kroaci, si një shenjë e bashkëpunimit të mirë midis Kinës dhe Evropës.

Projekti kontribuoi në masë të madhe në rritjen ekonomike në Kroaci dhe më gjerë në Evropë, pasi punësoi më shumë se 250 punëtorë lokalë, duke ndihmuar në kultivimin e aftësive inxhinierike, teknike dhe menaxheriale, duke nxitur kështu zhvillimin e ndërmarrjeve lokale dhe promovimin e ekonomisë dhe zhvillimit social të Kroacisë, shtoi ambasadori Qi.

Sipas tij, hapja e urës së re pritet të thellojë më tej besimin e ndërsjellë politik midis Kinës dhe Kroacisë, të forcojë përafrimin e strategjive të zhvillimit dypalësh dhe të zgjerojë bashkëpunimin në fusha të ndryshme. (Irma)