Elva Margariti (Foto Facebook Ministria e Kultures)

Elva Margariti (Foto Facebook Ministria e Kultures)

Nga data 28 deri më 31 korrik, edicioni i 10-të i festivalit të muzikës elektronike “Turtle Fest” këtë vit do të mbahet në Dhërmi. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës Elva Margariti, e cila në një postim në faqen e saj në “Facebook” shkroi se ky organizim veror mbështetet prej vitesh nga Ministria e Kulturës.

Ministrja ka vlerësuar përpjekjet e një grupi të rinjsh të pasionuar, që gjallërojnë jetën artistike por njëkohësisht nxisin dhe sipërmarrjet e reja.

“Për 10 vjet “Turtle Fest” ka mundur të mbajë gjallë shpirtin artistik në sezonin veror, edhe në kohëra të vështira”, -tha ministrja.

Organizatorët kanë falënderuar Ministrinë e Kulturës si institucioni i parë i cili ka mbështetur dhe ka besuar te “Turtle Fest” që prej fillimit të festivalit, si edhe ministren për fjalët inkurajuese, besimin dhe vizionin e përbashkët.

Në plazhin e Dhërmiut do të performojnë artistë shqiptarë e ndërkombëtarë përgjatë 4 netëve. (Elona)