Kryeministri shqiptar Edi Rama (Foto RTSH)

Kryeministri shqiptar Edi Rama (Foto RTSH)

Flamuri i Bashkimit Evropian u ngrit të mërkurën në godinën e Kryeministrisë, në Tiranë, një ditë pas organizimit të Konferencës së parë Ndërqeveritare, që shënoi edhe hapjen zyrtarisht të negociatave me BE-në.

Në ceremoninë ku morën pjesë edhe përfaqësues të BE-së, si dhe ambasadorë të tjerë të akredituar në Tiranë, kryeministri Edi Rama tha se kjo është një ditë e re për Shqipërinë dhe se ngritja e flamurit të BE-së shënon kalimin e Shqipërisë në një tjetër nivel.

“Sot është një ditë e re për Shqipërinë. Ngritja e këtij flamuri shënon ngritjen e Shqipërisë në një tjetër nivel, në çdo drejtim. Ky moment shënon ngritjen në një nivel tjetër detyrimesh të marrëdhënieve të shoqërisë dhe qytetarëve shqiptarë me vlerat, rregullat dhe frymën e bashkëjetesës demokratike evropiane”, -tha Rama.

Kryeministri u ndal edhe te opozita, duke thënë se do të donte që edhe ata të ishin të pranishëm në ceremoni, pasi niveli i ri i marrëdhënieve të Shqipërisë me BE-në kërkon edhe një nivel të ri të marrëdhënieve qeveri-opozitë. Por për Ramën, Partia Demokratike ndodhet në një hendek që, sipas tij, bie ndesh me frymën e BE-së.

Duke përmendur vështirësitë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE, Rama iu drejtua përfaqësuesve të drejtësisë së re, duke u bërë thirrje për integritet në punën e tyre.

Kryeministri theksoi edhe njëherë se qeveria nuk do t’i bëhet mburojë askujt, duke u garantuar mbështetje institucioneve të drejtësisë. (Elona)