Hapja e negociatave ne BE, kryeministri shqiptar Edi Rama (Foto Rtsh)

Hapja e negociatave ne BE, kryeministri shqiptar Edi Rama (Foto Rtsh)

Shqipëria çeli zyrtarisht të martën negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në Konferencën e parë Ndërqeveritare në Bruksel, kryeministri Edi Rama e konsideroi Bashkimin Evropian si “fatin e shqiptarëve”, duke shtuar se pavarësisht zhgënjimeve dhe refuzimeve të pamerituara në 3 vitet e fundit, sërish Shqipëria nuk e humbi besimin, citon “RTSH”. Kreu i qeverisë shqiptare u ndal edhe te reformat e ndërmarra në vend, duke përmendur reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe përparimin e kryer në procesin e digjitalizimit.

“Gjatë 3 viteve të fundit që kanë qenë të vështira, roli i Shqipërisë në skenën ndërkombëtare u bë më i rëndësishëm. Ne do të vazhdojmë të luajmë rol kyç në konfigurimin e ri gjeopolitik evropian. Shqipëria ka përafrim 100% me deklaratat e BE-së për politikën e jashtme. Marrim pjesë në nisma rajonale dhe iniciuam me 2 partnerë të tjerë nismën e parë ballkanike të quajtur “Open Ballkan”. Pavarësisht zhgënjimeve tona, BE nuk është një projekt që do të përfundojë një ditë”, -tha Rama.

Një moment historik e ka konsideruar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Konferencën e parë Ndërqeveritare BE-Shqipëri-Maqedonia e Veriut, ndërsa vlerësoi punën e bërë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për afrimin me BE-në.

Ndërsa për përfaqësuesin e lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, BE-ja bëhet më e plotë me Shqipërinë. Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi, në konferencën për shtyp me kryeministrin Rama, u shpreh se negociatat do të ketë ndikim pozitiv te ekonomia dhe shoqëria, duke u bërë thirrje të gjitha palëve në vend që të bëhen pjesë e këtij procesi. (Elona)