Ekonomia shqiptare vazhdon të sigurojë një mjedis të favorshëm për biznesin dhe është pranuese ndaj nevojave të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Ky vlerësim bëhet nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), në raportin e publikuar së fundi në faqen e saj zyrtare, “SME POLICY INDEX Western Balkans and Turkey 2022”.

Në pjesën për Shqipërinë, raporti vlerëson se që nga viti 2019, vendi ka përmirësuar performancën në të 12 fushat e politikave, duke reflektuar kështu rëndësinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në axhendën e politikave të qeverisë.

Sipas raporti, Shqipëria shënon rezultate mbi mesataren e rajonit në 5 fusha të politikave, konkretisht në kuadrin institucional dhe rregullator për hartimin e politikave për NVM-të, mjedisin operacional për NVM-të, prokurimin publik, standardet dhe rregulloret teknike dhe ndërkombëtarizimin e NVM-ve.

Raporti vlerëson se mjedisi operacional i Shqipërisë për NVM-të mbetet më i avancuari në rajon, reformat digjitale janë zbatuar në mënyrë të vazhdueshme në të gjithë nivelet e qeverisë dhe është bërë përparim si në rritjen e disponueshmërisë së shërbimeve digjitale të qeverisë ashtu edhe në përmirësimin e tyre për t’iu përshtatur më mirë nevojave të përdoruesve.

Gjithashtu raporti vlerëson se krijimi i një ekosistemi të favorshëm për start-up-et dhe inovacionin është bërë një prioritet për Shqipërinë, me miratimin e një ligji të dedikuar për start-up-et inovative në vitin 2022, i cili parashikon një buxhet nga fonde shtetërore në mbështetje të ekosistemit të inovacionit.

Vlerësohet se është bërë përparim i konsiderueshëm në mbështetjen e ndërkombëtarizimit të NVM-ve, me një mjedis gjithnjë e më të favorshëm që rrit sofistikimin dhe inovacionin e eksporteve duke rritur gjithashtu konkurrueshmërinë e eksportit. (Irma)