Bashkimi Evropian do të financojë me 137.9 milionë euro punimet për linjën hekurudhore që lidh Tiranën me kryeqytetin malazez, Podgoricën.

Lajmi është bërë i ditur nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri.

Ky investim në formë granti nga BE do të nisë në tremujorin e tretë të 2023-shit, përcjell “RTSH”.

Qeveria shqiptare do të bashkëfinancojë 3.3 milionë euro. 62.9 milionë euro janë hua nga BERZH-i dhe 62.9 milionë euro janë kredi nga Banka Europiane e Investimeve (BEI).

Gjithashtu Delegacioni i BE-së përmes një statusi në rrjetet sociale thekson se, pas vizitës në Mal të Zi, Komisioneri i Bashkimit Evropian, për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Várhelyi udhëtoi drejt Shqipërisë, ku u ndal në pikën kufitare të Hanit të Hotit.

Investimi në linjën hekurudhore Vorë-Hani i Hotit konsiston në rehabilitimin e 120 km linjë hekurudhore dhe rindërtimin e 12 stacioneve.

Gjithashtu ky investim do të ofrojë udhëtim me shpejtësi deri në 120 km/orë dhe përmirësimin e parametrave të sigurisë.

Nga ky investim do të ketë rritje të trafikut hekurudhor ndërkombëtar për mallra dhe njerëz. (Irma)