Foto: Xinhua

Foto: Xinhua

Seksioni prioritar 41 km Smokovac-Mateshevo i autostradës Bar-Boljare të Malit të Zi, i ndërtuar nga një kompani kineze, u hap të mërkurën, raporton “Xinhua”.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë presidenti malazez, Milo Gjukanoviç, kryeministri, Dritan Abazoviç, e ngarkuara me punë e Ambasadës Kineze në Malin e Zi, Hua Yafang, dhe përfaqësues të korporatës “China Road and Bridge”.

“Ky investim padyshim do të hapë drejtime të reja zhvillimi dhe do t'i japë shtysën më të fortë ekonomisë vendase. Autostrada është fillimi i lidhjes së përhershme të Malit të Zi me botën”, -tha Abazoviç.

Hua tha se autostrada është fryt i bashkëpunimit Kinë-Mali i Zi, falë nismës “Një brez, një rrugë” dhe mekanizmit të bashkëpunimit të Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Sipas saj, autostrada do të rrisë efektivisht lëvizshmërinë e faktorëve të prodhimit midis veriut dhe jugut të vendit, do të garantojë mundësi më të balancuara ekonomike dhe si rrjedhojë do të bëhet një autostradë e zhvillimit.

Hua shtoi se si një simbol i bashkëpunimit të suksesshëm midis Malit të Zi dhe Kinës, ajo do të bëhet një autostradë miqësie.

Ervin Ibrahimoviç, zëvendëskryeministri i Malit të Zi, tha se ky është projekti më i madh, më i rëndësishëm dhe më i vlefshëm i infrastrukturës në historinë e Malit të Zi, i cili, sipas tij, padyshim do të nxisë zhvillimin e vendit.

Seksioni i autostradës, i financuar nga Banka e Eksport-Importit të Kinës, shtrihet nëpër male me 20 ura dhe 16 tunele. (Irma)