Foto: Facebook Ministria e Financave dhe Ekonomise

Foto: Facebook Ministria e Financave dhe Ekonomise

Ministrja e Financës dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ishte e pranishme në prezantimin e anketimit të realizuar nga FIAA, ku theksoi se prioritet i punës së përditshme është bashkëpunimi me biznesin dhe përmirësimi i klimës së biznesit.

Ministrja vlerësoi rezultatet e anketimit, duke i cilësuar inkurajuese dhe që nxisin për të vijuar me reformat.

“Për ne zëri i biznesit është i rëndësishëm dhe prej disa muajsh po punojmë që të adresojmë rekomandimet që na kanë ardhur, jo vetëm nga FIAA, por edhe nga përfaqësitë e tjera të biznesit”, -theksoi ministrja Ibrahimaj në një postim zyrtar në rrjetet sociale.

Ajo beson se zbatimi i Reformës në Drejtësi, një angazhim madhor i qeverisë shqiptare, do të shërbejë për më shumë garanci për investitorët e huaj dhe së bashku me politikat e tjera, siç janë incentivat fiskale, përmirësimi i kuadrit ligjor, aftësimi dhe kualifikimi i forcës së punë, do të shërbejnë për të rritur prezencën e kapitalit të huaj dhe vendas, në dobi të zhvillimit të ekonomisë.

Anketa e Mjedisit të Biznesit të FIAA u zhvillua gjatë pranverës së këtij viti, brenda rrjetit të anëtarëve dhe investitorëve të FIAA në Shqipëri. Në përgjithësi, gjetjet tregojnë përmirësim në fusha të rëndësishme si niveli i rendit dhe sigurisë së ofruar në Shqipëri, Infrastruktura Rrugore dhe Furnizimi me Energji, Marrëdhëniet me institucione të ndryshme si Doganat, Qeverinë Qendrore, si dhe përmirësime të mëtejshme në sistemin e Tatimeve dhe Procesin e rimbursimit të TVSH-së. (Irma)