Foto: RTSH

Foto: RTSH

Nga selia e NATO-s, sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, falënderoi Shqipërinë për firmosjen e dekreteve për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë.

Stoltenberg priti të mërkurën kryeministrin Edi Rama dhe në një konferencë të përbashkët për shtyp deklaroi se fakti që Shqipëria miratoi në Parlament ratifikimin e protokolleve të anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO tregon se dera e NATO-s mbetet e hapur, raporton “RTSH”.

“Shqipëria kontribuon në forcat shumëkombëshe të NATO-s në Letoni dhe Bullgari. Ju ndihmoni edhe në parandalimin e çdo agresioni kundër vendeve aleate të NATO-s dhe Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike për NATO-n”, -tha Stoltenberg.

Ndërsa Kryeministri Rama në fjalën e tij theksoi nevojën për një dialog të përhershëm mes NATO-s dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe konfirmoi lajmin se Shqipëria do të vendosë në funksion të Aleancës një bazë detare të teknologjisë së fundit.

“E vlerësoj shumë disponueshmërinë tuaj për t’iu prezantuar ambicien tonë për të shtuar një vlerë në infrastrukturën dhe logjistikën e aleancës sonë duke vënë në dispozicion të NATO-s një bazë të flotës detare”, -tha ai. (Elona)