Foto: ATSH
Administrata Doganore Shqiptare, gjatë gjysmës së parë të vitit, llogaritet të ketë mbledhur 72.5 miliardë lekë të ardhura nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave deklaroi përmes një njoftimi zyrtar, përcjellë nga mediet shqiptare, se këto të ardhura ishin rreth 13.6 miliardë lekë më të larta krahasuar me gjashtëmujorin 2021.
Ndikimin kryesor e dha rritja e importit të energjisë me rreth 3.3 miliardë lekë më tepër se në të njëjtën periudhë të 2021, e pasuar nga rritja e çmimit të karburantit. Ndikimi i drejtpërdrejtë në TVSH nga rritja e çmimit të karburantit llogaritet 2.7 miliardë lekë më shumë se në 6-mujorin e parë 2021.
Ndërkohë, ndikimi në TVSH nga rritja e çmimeve të mallrave të konsumit të përgjithshëm, llogaritet 2 miliardë lekë, ndërsa nga importi i metaleve bazë rreth 2 miliardë lekë më tepër.
Nga importi i gazit të lëngshëm efekti në TVSH llogaritet rreth 1 miliardë lekë më tepër, ndërsa nga rritja e çmimit të materialeve plastike, efekti në TVSH llogaritet 420 milionë lekë më shumë. (Elona)