Foto: RTSH
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të votojë të enjten, më 14 korrik, në lidhje me propozimin francez për zgjidhjen e konfliktit me Bullgarinë, për t’i hapur rrugën nisjes së bisedimeve të anëtarësimit në BE. E pranishme në këtë seancë do të jetë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila do të mbajë edhe një fjalim, raporton “RTSH”.
Qeveria maqedonase, me kërkesë të deputetëve të martën pasdite ka dorëzuar në Kuvend të gjithë dokumentacionin që ka të bëjë me propozimin e Francës për kornizën e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Qeveria publikoi tre dokumentet nga korniza e negociatave, por jo protokollin dypalësh midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që kërkohet nga opozita.
Prej ditësh tashmë, Maqedonia e Veriut është përfshirë nga protesta që kërkojnë refuzimin e propozimit francez. Sipas protestuesve, ky propozim rrezikon gjuhën dhe identitetin e Maqedonisë së Veriut. (Elona)