Foto: Kuvendi i Shqiperise

Foto: Kuvendi i Shqiperise

Nën drejtimin e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, grupi i deputetëve “Miqtë e fëmijëve”, në bashkëpunim me përfaqësitë e UNICEF-it dhe UNHCR-së në Shqipëri, organizoi seancën dëgjimore mbi mbrojtjen e fëmijëve të huaj me/ose pa shtetësi, të pashoqëruar dhe të ndarë, që mbërrijnë në Shqipëri si pjesë e flukseve të refugjatëve dhe emigrantëve.

Në mbledhje morën pjesë edhe dr. Roberto De Bernardi, përfaqësues i UNICEF-it, Pablo Zapata, përfaqësues i UNHCR-së në Shqipëri, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, përfaqësues të Ambasadës së Italisë etj.

Në deklaratën e shpërndarë nga Kuvendi përcillet shqetësimi i kryetares Nikolla se fëmijët refugjatë dhe emigrantë përballen me pengesa dhe sfida të shumta gjatë dhe pas procesit të azilkërkimit dhe emigrimit. Sipas saj, shqetësues është fakti që një pjesë e tyre që kërkojnë të largohen nga Shqipëria përdorin ose bien në rrjetet e kontrabandistëve dhe trafikantëve të qenieve njerëzore. Këtë fat e pësojnë edhe fëmijët.

Roberto De Bernardi, përfaqësues i UNICEF-it në Shqipëri, pasi vlerësoi angazhimin e Shqipërisë dhe të Kuvendit në trajtimin e çështjes së këtyre kategorive të fëmijëve, vuri në dukje nevojën për përmirësimin e punës për identifikimin e tyre, rritjen e aksesit në shërbimet sociale dhe shërbimet e tjera si edhe harmonizimin më të mirë të legjislacionit dhe rritjen e kapaciteteve institucionale për trajtimin dhe përkujdesjen ndaj fëmijëve që hyjnë në territorin e Shqipërisë.

Sipas UNICEF-it, midis janarit dhe gushtit të vitit 2021, rreth 97.000 refugjatë dhe emigrantë arritën në Evropë. Sipas të dhënave të UNHCR-së, 10.102 individë mbërritën në Shqipëri gjatë vitit 2021. Gjatë periudhës janar-prill 2022 në Shqipëri kanë mbërritur 1662 persona. Shumica e emigrantëve që vijnë në Shqipëri kalojnë tranzit për të mbërritur në vendet e BE-së, ku mund të kenë anëtarë të familjes ose të afërm të tjerë. (Elona)