Foto: VCG

Foto: VCG

“Ne e duam Maqedoninë e Veriut si anëtare të BE-së”. Ky është mesazhi i përcjellë nga ambasada gjermane në Shkup, përmes të cilit kancelari gjerman Olaf Scholz i ka kërkuar Maqedonisë së Veriut që të mbështesë propozimin e presidencës franceze të Këshillit Evropian, që synon të tejkalohen problemet mes Shkupit dhe Sofjes zyrtare dhe t’i hapet rrugë anëtarësimit të vendit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Vendi juaj ndodhet sërish para një vendimi të rëndësishëm për të ardhmen e tij. Dëshironi ta pranoni kompromisin evropian? Kështu mund të mbahet më në fund konferenca e parë ndërqeveritare shtatëmbëdhjetë vjet pas dhënies së statusit të një vendi kandidat për në Bashkimin Evropian. Kjo do t’ju sjellë një hap shumë më afër anëtarësimit në BE dhe do të kapërcejë bllokadën”,-theksoi ai.

Scholz vijon më tej duke u shprehur se e kupton frustrimin dhe padurimin e popullit të Maqedonisë së Veriut dhe se i kupton dyshimet në lidhje me miratimin e propozimit francez, por sipas tij, kompromisi do të mundësonte hapjen e rrugës për anëtarësimin evropian të vendit, ndërsa kujton se ky proces nuk do të jetë i lehtë, citon “RTSH”.

“Dëshiroj të jem krejt i hapur me ju. Edhe pas miratimit të këtij kompromisi, procesi i anëtarësimit në BE nuk do të jetë i lehtë. Pengesa të tjera do të duhet të kapërcehen. Por unë them po ashtu se bashkë do t’i përballojmë detyrat që kemi përpara. Sepse ne ju duam si anëtarë të këtij Bashkimi Evropian”, -vijon ai.

Në mesazhin e tij, kancelari gjerman gjithashtu iu është drejtuar qytetarëve të vendit ballkanik që dyshojnë se propozimi francez prek gjuhën dhe identitetin e vendit, duke thënë se ajo që e bën Bashkimin Evropian të fortë është ruajtja e veçantisë kulturore, gjuhës dhe identiteti të çdo vendi anëtar.

Ndërsa ka theksuar se ndonjëherë kompromiset kërkojnë lëshime, ai ka kujtuar se Bashkimi Evropian përbëhet nga kompromiset. (Elona)