Prej ditësh tashmë vendi ynë po përballet me rritje të rasteve me Covid 19. Janë shënuar gjithsej 283.811 raste pozitive që prej nisjes së infektimit të qytetarëve me Covid19, ndërsa janë shëruar 276,070 persona. Aktualisht janë rreth 4,000 raste aktive, ndërsa 3.506 qytetarë nuk kanë mundur t’i mbijetojnë armikut të padukshëm.

Nisur nga situata epidemiologjike ku është vënë re një rritje e rasteve pozitive me Covid19, disa ditë më parë është mbledhur Komiteti Teknik i Ekspertëve, të cilët e kanë konsideruar emergjente kryerjen e dozës së tretë të vaksinës për uljen e pasojave dhe fataliteteve si dhe rekomanduan mbajtjen e maskës në ambiente të mbyllura. Komiteti ka rekomanduar mbajtjen e maskave aty ku nuk është e mundur të ruhet distancimi fizik. Ndërsa Prof. Mira Rakacolli, bëri apel në emër të Komitetit Teknik të Ekspertëve që të bëhet edhe doza e tretë e vaksinës.

"Situatat epidemiologjike të këtij infeksioni nuk kanë sezonalitet dhe gjithçka mbetet në respektimin e masave parandaluese. Tashmë është e thënë qartazi që vaksinimi është parandaluesi i tij dhe sidomos i shfaqjes se simptomave të rënda. Prandaj komiteti bën apel për bërjen e dozave, sepse të gjithë qyetetarët i kanë tashmë në qëndrat shëndetësore të tyre. Po ashtu rekomandon fuqishëm edhe mbajtjen e maskës në ambiente të mbyllura dhe aty ku nuk ruhet distancimi social, sidomos për personat e moshuar dhe ata me sëmundje.", u shpreh ajo.

Simptomat varen nga virusi, por shenjat e zakonshme përfshijnë simptomat e aparatit të frymëmarrjes: ethe, kollë, marje fryme dhe vështirësi në frymëmarrje. Në raste më të rënda, infeksioni mund të shkaktojë pneumoni, sindromë të rëndë respiratore akute, insuficiencë të veshkave, madje edhe humbje jete.

Mjekja Xhentiliana Nazaj lidhur me situatën epidemiologjike thekson:

"Dy javët e fundit të qershorit kemi patur një rritje të numrit të pacientëve duke qenë se kemi në qarkullim edhe virozat e stinës."

Ashtu si sëmundjet e tjera të rrugëve të frymëmarrjes, infeksioni i ri nga COVID-19 mund të shkaktojë simptoma të lehta si ftohje, dhimbje fyti, kollë dhe ethe, ose simptoma më të rënda si pneumoni dhe vështirësi në frymëmarrje. Rrallëherë mund të jetë fatale. Sipas të dhënave të disponueshme aktualisht, njerëzit simptomatikë janë shkaku më i shpeshtë i përhapjes së virusit. OBSH e konsideron të rrallë infeksionin nga Koronavirusi përpara se të shfaqen simptomat megjithse edhe kjo mundesi ekziston.

"Faktikisht ne jemi në sezoni ku qarkullojnë edhe viroza të tjera të ngjashme, prandaj kemi rritur numrin e testimeve për të bërë edhe një diferencim. Në rast se pacienti del pozitiv duhet të vazhdojë trajtimin në mënyrë të përditësuar me mjekun e familjes për variantin dhe simptomatologjinë që ai paraqet. Nëse del negativ trajtohet për virozat e stinës.". thekson mjekja Nazaj.

Sipas Institutit Robert Koch, variantet e COVID-19 dyfishohen çdo javë, ndaj ekspertët presin vijim të rritjes së infeksioneve.

Por cili është varianti që po qarkullon aktualisht?

"Varianti Omicron. Pacientët lidhen me mjekun e familjes dhe pastaj shpjegojnë simptomat duke nisur me dhimbjen e fytit, temperaturë subfibrile 38 dhe rrallë herë edhe fibrile, dhimbje të muskujve dhe rrallë herë shoqërohet edhe me kollë të thatë.", shpjegon mjekja.

Kjo është vera e tretë me praninë e Covid-19 dhe bota po përgatitet për shtimin e rasteve. Kujdesi duhet të jetë i pranishëm. Informacionet paraprake tregojnë që virusi mund të mbijetojë disa orë. Përdorimi i dezinfektuesve të thjeshtë është në gjendje të vrasë virusin, duke frenuar aftësinë e tij për të infektuar njerëzit.