[Foto:VCG]

[Foto:VCG]

Norma e inflacionit arriti një nivel historik, 7.4% në muajin qershor.

INSTAT publikoi Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK), në muajin qershor 2022. Referuar të dhënave të INSTAT-it, rritja vjetore e çmimeve në muajin qershor është ndikuar kryesisht nga grupi “ushqime dhe pije joalkoolike” me 4,38%, pasuar nga grupi “transporti” me 1,53%.

Çmimet e grupit “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhanë ndikim me 0,54%, ndërsa çmimet e grupit “mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,28%.

INSTAT bën të ditur se çmimet e grupit “hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me 0,25 %, ndërsa çmimet e grupit “pije alkoolike dhe duhan” me 0,23 %. Çmimet e grupit “veshje dhe këpucë” kontribuuan me 0,07 %, ndërsa çmimet e grupit “shëndeti” me 0,01 %.

Krahasuar me muajin qershor 2021, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “transporti” me 26.9 %, pasuar nga grupet “ushqime dhe pije joalkoolike” me 12.6 %, “hotele, kafene dhe restorante” me 5.6 %, “pije alkoolike dhe duhan” me 4.7 %, “mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 3.8 %, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2.8 %, “veshje dhe këpucë” me 1.6 %, “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1 %, “komunikimi” dhe “shërbimi arsimor” me 0.6 % secili dhe “shëndeti” me 0.3 %.

Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyra” u rritën me 30.3 %, pasuar nga nëngrupet “bukë dhe drithëra” me 19.1 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 18.5 %. (Irma)