Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco, paraqiti në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, raportin vjetor të punës së Prezencës në Shqipëri. Në raport u vlerësua mbështetja e gazetarisë dhe iniciativave reformuese deri te lufta kundër korrupsionit, citon “RTSH”.

Vlerësimet e raportit u përshëndetën nga ambasadorja Eglantina Gjermeni që e konsideroi OSBE-në një partnere të besuar në progresin e vendit. Ajo theksoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar në rrugën e saj të reformave dhe të integrimit evropian.

[Foto:VCG]

[Foto:VCG]

Kryesia polake e radhës së OSBE-së përgëzoi qasjen e organizatës në Shqipëri duke e konsideruar ndërdimensionale.

“Përgëzojmë Prezencën e OSBE-së në Shqipëri për qasjen ndërdimensionale, që përfshin mbarë shoqërinë, në mbështetje të qeverisë së Shqipërisë në fushat me rëndësi strategjike”, -thuhet në reagim.

Mbretëria e Bashkuar vlerësoi punën e ekipit të OSBE-së në Shqipëri, përfshirë atë për reformën zgjedhore, lirinë e medies, antikorrupsionin dhe luftën kundër krimit të rëndë të organizuar dhe trafikimit.

Një reagim pati edhe nga Gjermania, duke e konsideruar punën e OSBE-së në Shqipëri si domethënëse për sigurinë dhe stabilitetin e vendit.

“Përgjatë viteve, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka kontribuar në mënyrë domethënëse për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik në Shqipëri. Puna praktike e OSBE-së dhe e misioneve të saj në terren sjell ndryshim real për njerëzit në mbarë rajonin e OSBE-së”, thuhet në reagim. (Irma)