Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko lajmëroi rritjen e normës bazë të interesit me 0.25%, duke e çuar atë në 1.25%, si përpjekje për të ulur inflacionin i cili do të vijojë të mbetet i lartë.

Inflacioni shënoi rritje në muajt prill e maj, duke regjistruar respektivisht vlerat 6.2% dhe 6.7%, por sipas guvernatorit Sejko në tremujorin e tretë pritet niveli më i lartë i inflacionit, që mund të luhatet në 7-8%, shkruan “RTSH”.

“Këshilli Mbikëqyrës rriti me 0.5 pikë përqindje normën e interesi. Kjo do të krijojë kushte të përshtatshme për kthimin e inflacionit në normalizim. Inflacioni në tremujorin e tretë do të jetë në nivelin maksimal 7-8 %. Shifrat janë surprizuese, sepse ekonomitë po përballen me kriza të njëpasnjëshme”, tha Sejko.

Lidhur me projektligjin e amnistisë fiskale, Sejko tha se ka kostot dhe përfitimet e veta. Sipas tij, përfitimet lidhen me injektimin e fondeve në ekonomi, rritjen e të ardhurave në buxhet, por edhe formalizmin e ekonomisë. Guvernatori Sejko theksoi se amnistia fiskale duhet të shmangë paratë e krimit dhe korrupsionit.

“Nuk duhet të krijojmë konceptin e amnistisë së vazhdueshme. Ajo duhet të kryhet vetëm njëherë dhe rregullat fiskale duhet të shtrëngohen në mënyrë që të ketë një evazion minimal. E shohim me kosto dhe benefite, përfitimet kryesore janë injektimi, përmirësimi i të ardhurave në buxhetin e shtetit, kryesorja është formalizmi i ekonomisë, kemi një objektiv, rritjen e numrit të llogarive bankare dhe futjen maksimale të parasë jashtë sistemit bankar në sistemin bankar. Në drejtim të përfshirjes financiare amnistia do jepte një impakt pozitiv. Ka edhe kosto që lidhen me shmangien e parave të krimit dhe korrupsionit, nuk duhet të lejojmë që të pastrohen paratë dhe në esencë duhet të mos krijohet konceptoi i amastive të vazhdueshme”, tha Sejko. (Irma)