Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se me hapjen e 12 shkollave të reja në shtator, do të marrë fund edhe mësimi me dy turne në kryeqytetin shqiptar.

“Me buqetën prej 12 shkollash të reja, që hapim në shtator, i kemi dhënë Tiranës 40 shkolla të reja në rreth 8 vjet. Secila prej shkollave të reja ka një palestër të hapur edhe për komunitetin”, -deklaroi Veliaj.

Gjatë inspektimit të punimeve në një shkollë, kryebashkiaku Veliaj tha se pas dëmtimit prej tërmetit të vitit 2019, shkolla e re po ngrihet më e fortë e më cilësore, përcjell “RTSH”.

Ndërkaq, Veliaj njoftoi daljen e një urdhri të ri për sa i përket lëvizjes së mjeteve të tonazhit të rëndë në qytet gjatë dy muajve të verës. Duke nisur nga 8 korriku, do të lejohet lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë nga ora 18:00 deri në 07:00. Ndërsa në shtator, me fillimin e vitit shkollor dhe kur qytetarët të kthehen nga pushimet, do të rikthehet kufizimi i lëvizjes së tyre. (Irma)