Përhapja e shpejtë e valës së variantit Omikron të Covid 19 në Shqipëri ka mbledhur të mërkurën Komitetin e Ekspertëve. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, u shpreh se prej dy javësh ka një trend rritje rastesh pozitive me koronavirus, raporton RTSH.

Sipas saj, në 90% të bashkive ka raste aktive dhe popullata duhet të ndërgjegjësohet për vaksinim me dozë të tretë dhe të katërt.

“Incidenca javore dhe incidenca dyjavore gjatë kësaj periudhe ka pësuar rritje, krahasuar me tri javët pararendëse. Covid ka treguar që nuk ka një sezonalitet dhe është i pranishëm gjatë gjithë muajve të vitit”, - tha Tomini.

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive Silva Bino nga ana e saj ngriti alarmin për një tjetër variant që po përhapet me shpejtësi, që është BA5-a. Bino theksoi se të dhënat për këtë variant janë të pakta për transmetueshmërinë dhe vdekshmërinë.

Po ashtu, mjekja Najada Çomo theksoi se doza e tretë dhe e katërt e vaksinës është emergjente. Duke folur për situatën e pacientëve me Covid-19 të shtruar në spital, Çomo tha se rritja e numrit të të shtruarve përputhet me rritjen e rasteve pozitive të Covid 19. (Elona)