Foto: RTSH

Foto: RTSH

Shqipëria dhe Holanda duket se kanë gjetur gjuhën e bashkëpunimit mes tyre, që lidhen me procesin e integrimit në BE dhe marrëdhëniet dypalëshe. Në një konferencë të përbashkët për shtyp nga Amsterdami, kryeministrat Edi Rama dhe Mark Rutte nuk i kursyen fjalët miqësore mes tyre, qëndrimet e përbashkëta për luftën në Ukrainë si dhe theksuan se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE, bën të ditur “RTSH”.

Kryeministri holandez Mark Rutte mbështeti fuqimisht integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE, ndërsa tha se e vetmja zgjidhje për të hequr bllokimin që po krijon Bullgaria është pranimi i propozimit francez nga Shkupi zyrtar.

“Shqipëria ka mbështetjen e plotë të Holandës për integrimin në BE, problemi këtu qëndron te Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria. Ne mbështesim propozimin francez për heqjen e pengesave. Propozimi trajton të gjitha shqetësimet e mbetura. Shpresojmë që ky propozim të ketë mbështesje të gjerë në parlamentin e Maqedonisë së Veriut”, -tha Rutte.

Teksa vlerësoi punën që ka bërë Shqipëria në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe sistemin në drejtësi, Rutte shprehu mbështetjen edhe për nismën “Ballkani i hapur”, duke thënë se do të ndihmojë në përshpejtimin e rajonit në BE sidomos në punë që lidhet me disa kapituj.

Edhe kryeministri Edi Rama vlerësoi marrëdhëniet me homologun Rutte, ndërsa rikujtoi kohët kur Holanda bllokonte integrimin e Shqipërisë. Rama tha se Holanda e kuptoi seriozitetin e Shqipërisë për të plotësuar detyrat e saj dhe se Shqipëria kuptoi skepticizmin e Holandës dhe se palët po punojnë që të forcojnë edhe më tej bashkëpunimin dypalësh. (Elona)