Prodhimi i ullirit në Shqipëri një vit më parë i kaloi 110.164 tonë, duke shënuar një rritje vjetore me 2%, njoftoi Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Sipas saj, niveli më i lartë i prodhimit të ullirit u arrit në qarkun e Fierit me 34.241 tonë, pasuar nga qarku i Elbasanit me 21.102 tonë dhe qarku i Vlorës me 20.298 tonë.

Varietet e ullirit për vaj përfaqësojnë 87.60% të prodhimit gjithsej dhe varietetet e ullirit për tavolinë përfaqësojnë 12.40%.

Programi i qeverisë për zhvillimin e ullirit, synon shtimin e sipërfaqes së përgjithshme me ullinj dhe rritjen e prodhimit të vajit “Made in Albania”.

Shqipëria ka afro 11 milionë pemë ulliri, ku afro 8 milionë pemë llogariten në prodhim.

Krahas zgjerimit të sipërfaqeve të mbjella me ullinj, është rritur ndjeshëm edhe prodhimi i vajit të ullirit i cili arrin 20 mijë tonë në vit.

Kultivimi i ullirit dhe prodhimi i vajit të ullirit është i bazuar kryesisht në biznese familjare. Shqipëria ka rreth 450 fabrika përpunimi ulliri për vaj, ndërsa konsumi i vajit të ullirit për frymë është afro 7.1 litra në vit. (Fatosi)