Delegacioni i BE-së në Shqipëri njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale, se një monedhë e re 2 euro do të jetë në qarkullim duke filluar nga kjo javë, për të kremtuar 35-vjetorin e programit Erasmus+.

Ai konsiderohet si programi i suksesshëm shkëmbimi për të rinj dhe akademikë.

“Monedha krejt e re kombinon dy elementë të rëndësishëm të programit Erasmus+: vetë Erasmus si frymëzim origjinal intelektual dhe një alegori e ndikimit të tij në të gjithë Evropën. Së shpejti do të keni në portofolin tuaj një pjesë të historisë europiane”, -thuhet në njoftimin e Delegacionit të BE-së.

Mbi 8000 studentë shqiptarë kanë përfituar nga programi Erasmus+, program i Bashkimit Evropian, që mbështet financiarisht një sërë veprimtarish në fushat e arsimit, trajnimit, rinisë dhe sportit. (Fatosi)