Bimet e egra organike (Foto Lajmetonline)

Bimet e egra organike (Foto Lajmetonline)

Instituti i Statistikave në Shqipëri bëri të ditur se prodhimi i bimëve të egra organike në vitin 2021 shënoi një rritje vjetore me 65%, për shkak të rritjes së kërkesës që pati tregu ndërkombëtar për produktet organike, e cila ndikoi tek eksportuesit që të grumbullonin më shumë nga këto bimë.

Sipas raportit të INSTAT-it, e gjithë rritja erdhi nga bimët aromatike dhe mjekësore, teksa u pa një rënie e prodhimit të gështenjës dhe frutave të pyllit.

INSTAT-i bëri të ditur se prodhimi i bimëve aromatike dhe mjekësore në gjendje të egër arriti në 7608 tonë vitin e kaluar me një rritje 65%.

Këto bimë dominohen nga sherbela dhe çajrat vendase. Ndërsa prodhimi i gështenjës ra me 8% dhe i frutave të pyllit me rreth 1%.

Sektori i bimëve mjekësore dhe aromatike është një burim i rëndësishëm të ardhurash për një numër të madh familjesh në zonat rurale, veçanërisht në zonat malore të Shqipërisë. (Irma)