Më 1 korrik nisi ndërtimi i parkut fotovoltaik të Karavastasë. Ministrja e Energjisë Belinda Balluku deklaroi se ky është një nga parqet më të mëdhenjtë të energjisë diellore në rajon, me kapacitet 140 MGW në një sipërfaqe 120 hektarë.

“Është parku më i madh fotovoltaik në Ballkan me 140 megavat/orë. Kjo ditë merr rëndësi më të madhe. Energjia që ne prodhojmë mbulon vetëm 70% të nevojave që ka vendi për konsum. “Voltalia” është një nga kompanitë e prodhimit energjetik, që ka zgjedhur Shqipërinë për të investuar. Energjia e prodhuar prej këtij parku do të jetë 24.89 euro për megavat orë. Në mesin e vitit 2023 kur parku do të jetë në funksionim ne do të marrim për 15 vite 70 megavat orë me çmim 24.89 euro. Këtu po nis investimi prej 100 milionë eurosh për t’i dhënë një frymëmarrje sistemit energjetik”, -deklaroi ministrja Balluku.

Ndërsa kryeministri Edi Rama u shpreh ky projekti u kërcënua nga ndryshimi i konjukturës. Ai theksoi se nuk heq dorë nga vizioni i Shqipërisë 2030 dhe transformimin e vendit në eksportues neto të energjisë.

“Ne nuk heqim dorë nga vizioni i Shqipërisë 2030 për ta transformuar në një vend eksportues neto të energjisë. Ne nuk jemi të pavarur ende nga pikëpamja energjetike. Ne do vazhdojmë të luftojmë për pavarësinë energjitike dhe transformimin e Shqipërisë në një eksportues neto. Do të nxjerrim maksimumin nga një konjukturë e re që na vendos në një pozicion të rëndësishëm në rajon përsa i përket gazit. Presim finalizimin e testeve për sasinë e gazit dhe naftës të zbuluar në zonën e Shpiragut që nëse gjërat do të shkojnë si duket, do të jetë një frymëmarrje e jashtëzakonshme për vendin dhe dalja përfundimtare në një nivel tjetër e Shqipërisë. Së shpejti do të kemi të reja nga ky sektor që hap një faqe të re për vendin dhe rajonin”, -tha Rama. (Irma)