Javën e ardhshme pritet të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare BE-Shqipëri, që shënon dhe fillimin zyrtar të bisedimeve për anëtarësim. Lajmin e ka bërë me dije kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, citon “RTSH”.

Taulant Balla (Foto Rtsh)

Taulant Balla (Foto Rtsh)

Balla tha se është arritur dakordësia mes 27 vendeve të Bashkimit Evropian për të mbajtur javën e ardhshme Konferencën e Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Është një moment i rëndësishëm, kjo pas komunikimeve të disa orësh të parlamenteve anëtare. Dakordësia politike tashmë është arritur dhe mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare tashmë javën e ardhshme është fakt. Fillimi i bisedimeve është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët”, tha Balla.

Konferenca e Parë Ndërqeveritare shënon dhe fillimin zyrtar të bisedimeve për anëtarësim në BE, ku mblidhen përfaqësues të qeverisë dhe përcaktohen kornizat themelore, të cilat caktojnë udhëzimet dhe parimet që rregullojnë negociatat e anëtarësimit me çdo vend kandidat. Negociatat zhvillohen midis ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të BE-së dhe vendit kandidat në Konferencën Ndërqeveritare. (Irma)