Helmimi nga uji (Foto RTSH)

Helmimi nga uji (Foto RTSH)

Prokuroria ka nisur hetimet pas dyshimeve për helmim të dhjetëra qytetarëve në Kukës nga uji i pijshëm. Nëpërmjet një njoftimi për mediat, policia bëri të ditur se specialistët e ujësjellësit kishin pasur dijeni për ndotjen e ujit, ndërsa janë marrë mostra të ujit te depoja qendrore dhe në banesat e qytetarëve, për të përcaktuar shkaqet e ndotjes, bën të ditur “RTSH”.

Ndërkohë në pyetje janë marrë edhe mjekët të cilët nuk kanë njoftuar në organet e rendit, pasi një numër i lartë qytetarësh u paraqitën në urgjencë me shenja helmimi.

Mbi 180 persona, të rritur e fëmijë, janë paraqitur dy ditët e fundit në spitalin rajonal të Kukësit me shenja helmimi.

Fillimisht u dyshua për helmim masiv nga uji, por kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici, ka deklaruar se një gjë e tillë nuk mund të ketë ndodhur dhe se uji që konsumojnë qytetarët është tërësisht i sigurt.

Megjithatë, pritet përgjigjja e hetimeve për të përcaktuar shkakun e helmimit të qytetarëve. (Elona)