Varhelyi RTSH

Varhelyi RTSH

Brenda pak ditësh do të mund të zhvillohet konferenca ndërqeveritare e BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, bëri të ditur komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Verhelyi, në debatin që u zhvillua të hënën në Parlamentin Evropian, ku temë diskutimi ishte zgjerimi i bllokut pas konfliktit Rusi-Ukrainë. Ai tha se të gjitha pengesat janë hequr, duke përmendur votimin në Kuvendin e Bullgarisë për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, përcjell “RTSH”.

Bullgaria, me vite, ka penguar ecjen përpara të Maqedonisë së Veriut, për shkak të disa mosmarrëveshjeve për historinë dhe gjuhën.

Javën e kaluar, parlamenti bullgar votoi për heqjen e kësaj pengese, në bazë të një propozimi të Presidencës franceze të BE-së, por nuk është e qartë se si do të zhvillohen gjërat, pasi Maqedonia e Veriut, fillimisht, e ka hedhur poshtë këtë propozim. Shqipëria ka mbetur pas në hapjen e negociatave, sepse disa shtete të BE-së nuk duan që ajo të ndahet nga paketa me Maqedoninë e Veriut.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë në faza të ndryshme të integrimit evropian. Negociatat për anëtarësim i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mbeten në pritje të nisjes së tyre, ndërsa Bosnje e Hercegovina ka vetëm marrëveshje stabilizim-asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në Bllok. (Elona)