BE per Ballkanin (Foto Rtsh)

BE per Ballkanin (Foto Rtsh)

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, në samitin e BE-së në Bruksel, e shprehën qartë zhgënjimin e tyre që vetoja e Bullgarisë vijon ende të bllokojë integrimin e dy vendeve. Në një intervistë për italianen “Corriere della Sera”, përcjellë nga “RTSH”, kryeministri shqiptar Edi Rama e cilësoi një ditë të keqe për BE-në që nuk arrin të mbajë premtimet. Sipas kryeministrit Rama, ngërçi në BE mund të kthehet i rrezikshëm, duke marrë parasysh zhvillimet aktuale në Europë.

“Ishte ditë e keqe për BE-në, sepse nuk ishte e mundur të lironim Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pengje vetëm të një vendi të BE-së, Bullgarisë, e cila është edhe anëtare e NATO-s njësoj si ne. E gjithë kjo përballë 26 shteteve të tjera anëtare që duken të pafuqishme dhe me një luftë te porta”, -tha Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare tha se BE nuk i ka mbajtur premtimet, gjë që pranohet edhe nga të njëjtët drejtues të komunitetit, pasi vendi i ka bërë detyrat e shtëpisë. Rama u shpreh i bindur se pavarësisht kësaj Shqipëria është ende e vendosur të vazhdojë drejt rrugës evropiane.

Rama theksoi se me presidentin francez Emmanuel Macron, me atë të Këshillit të Evropës Charles Michel dhe me shefen e KE Ursula von der Leyen u diskutua se si të dilet nga kjo situatë, të cilëve u parashtroi idenë e një komuniteti të ri evropian.

Pyetjes për mundësinë e heqjes së unanimitetit nga vendimet e BE-së, Rama iu përgjigj se e aprovonte këtë ide 100%. “Jam i vetëdijshëm se kjo është një çështje e ndjeshme për vendet anëtare, e cila ka historinë dhe rëndësinë e saj. Por ka ardhur koha për ta hequr atë”, -tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se qëndrimi i shqiptarëve ndaj Europës nuk ka ndryshuar, duan të jenë anëtarë dhe protagonistë aktivë të BE-së. (Irma)