Bashkia e Beratit ka nënshkruar një marrëveshje binjakëzimi me bashkinë e Matera-s në Itali.

Protokolli i Binjakëzimit parashikon projekte të përbashkëta në çështjet sociale, kulturore, ekonomike, shkëmbimit të informacioneve midis të rinjve, promovimin e përbashkët turistik dhe organizimin e eventeve të përbashkëta, citon “RTSH”.

Për kryetarin e bashkisë Berat, Ervin Demo, shumë shpejt do të ketë hapa konkretë për sa i përket këtij bashkëpunimi.

“Ne nënshkruan një pakt vëllazërie mes dy bashkive, në aspektin e bukurisë, artit dhe turizmit kulturor. Ka ardhur momenti të ndajmë mes nesh strategji të zhvillimit, duke qenë se Matera është cilësuar Kryeqyteti Europian i Kulturës. Ne mezi presim që Shqipëria të hyjë në BE sepse kjo do të na lejojë edhe më shumë të vazhdojmë drejt një dialogu mbi kulturën, artin dhe historinë e dy vendeve”, -tha kryebashkiaku i Matera-s Domenico Bennardi.

Berati dhe Matera janë qytete të cilat i bashkojnë rrënjët e hershme, janë dy bashki që kanë shumë të përbashkëta pasi gëzojnë të dyja statusin e UNESCO-s dhe shtyllën kryesore të zhvillimit kanë turizmin. (Irma)