Nga data 1 korrik, të gjithë ushtarakët do të kenë një pagë 30% më të lartë. Është ky vendimi i marrë të mërkurën në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, deklaroi para mediave se me vendimin e marrë nga qeveria, paga minimale në Forcat e Armatosura do të jetë më shumë se 51 mijë lekë të reja, përcjell “RTSH”.

“Në 30 vite nuk ka pasur një vendim si ky që lidhet me trajtimin me pagë të personelit ushtarak. Rritje historike e pagës, jam krenar dhe mirënjohës që premtimi i kryeministrit është jetësuar. Të gjithë ushtarakët nga data 1 korrik do kenë pagë 30% më të lartë. Ç’ka do të thotë se paga minimale në FA është më shumë se 51 mijë lekë të reja, shtuar këtu edhe paga shtesë të trajtimit ushqimor dhe trajtime të tjera sipas vështirësive. Kemi krijuar dhe një aneks, ku kjo kategori, merr shtesë mbi pagën shtesë. Si struktura ushtarake e mbrojtjes kibernetike, veç 30% do të marrë edhe 20 mijë lekë të reja shtesë. Shtesa kemi parashikuar edhe për funksione të tjera të trupave komando, trupave speciale, të mjekëve brenda FA, pra janë 38 pozicione që marrin shtesë mbi shtesë”, -tha Peleshi. (Elona)