Foto: RTSH

Foto: RTSH

“Ndërtimi i një tregu të përbashkët do kohën e vet. Procesi i integrimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor dhe i integrimit të tij në BE nuk është i lehtë, por shpresoj mos të na duhen 35 vite për të arritur atje, siç iu desh Bashkimit Evropian për të ndërtuar një treg unik. Askush në Rajon nuk e ka luksin të humbasë asnjë ditë të vetme, duke marrë parasysh që integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor ka vite që po rri në vend”, -deklaroi sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, në Dialogun e 8-të të Forumit të Prespës, në Ohër, përcjell “RTSH”.

Të pranishëm në forum ishin edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovachevski, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabić, dhe eurokomisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi.

“Historia e Tregut të Përbashkët Rajonal nuk do të jetë e shkurtër. Normalisht është një proces që do të marrë kohë, por nëse nxitemi edhe më shumë nga nevojat dhe pesimizmi që shfaqin njerëzt, sidomos të rinjtë (1 në 3 prej tyre janë të papunë) e nëse do të donim të shihnim sa më parë ndryshime në shoqëritë tona, atëherë duhet të shpejtojmë dhe të shënojmë arritje konkrete në bashkëpunimin ekonomik”, shtoi Bregu.

Forumi i Prespës për Dialog është një platformë e krijuar nga qeveria e Maqedonisë së Veriut për t'u mundësuar vendeve, liderëve, organizatave dhe qytetarëve të ndërtojnë marrëdhënie afatgjata dhe të forcojnë partneritetin mes tyre. (Irma)