Kryeministri shqiptar Edi Rama (Foto Rtsh)

Kryeministri shqiptar Edi Rama (Foto Rtsh)

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka paralajmëruar kryebashkiakët e vendit se së shpejti do të hyjnë në një fazë shtrënguese, pasi është e pamundur që bashkitë mos të kenë aktivitete ekonomike që prodhojnë të ardhura.

Gjatë një takimi me kryebashkiakët në Tiranë, Rama paralajmëroi se nëse bashkitë nuk përmbushin detyrimet financiare, do të merren në administrim, bën të ditur “RTSH”.

“Ne do të hyjmë në një fazë shtrëngimi pa tolerancë. Kjo është e domosdoshme sepse nuk mundet dot që akumulimi historik i borxheve të bëhet një rrugë e hapur edhe për vitet që kemi përpara”, -tha Rama, duke theksuar se mundësitë për t'u shfrytëzuar nga sektori publik bashkiak nuk u duhen deleguar kompanive private.

Kohët e fundit në Shqipëri janë vënë re shenja të kalimit në disa sektorë nga prona private në pronë shtetërore. Bëhet fjala për shtetëzimin e disa shërbimeve, si ai i të kontrollit teknik të makinave.

Ndërkaq hapa rreth rikthimit të dominimit të ndërmarrjeve shtetërore po vihen re edhe në sektorin e transportit urban dhe ujësjellësave. (Fatosi)