Guvernatori i Bankes se Shqiperise Gent Sejko (foto Rtsh)

Guvernatori i Bankes se Shqiperise Gent Sejko (foto Rtsh)

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, prezantoi në Kuvendin e Shqipërisë raportin vjetor për vitin 2021. “Sipas të dhënave zyrtare, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 8.5% kundrejt vitit paraardhës, duke tejkaluar nivelin e regjistruar përpara tërmetit e pandemisë”, -tha Sejko, raporton “RTSH”.

Guverantori tha se rritja ekonomike ishte me bazë të gjerë. Sipas tij, ajo pasqyroi rimëkëmbjen e shpejtë të konsumit familjar, të investimeve private, si dhe të eksporteve të mallrave e shërbimeve. Për më tepër, frytet e kësaj rimëkëmbjeje ishin të pranishme në thuajse të gjithë sektorët dhe degët kryesore të ekonomisë.

“Rekuperimi i gjithanshëm i kërkesës gjeneroi më shumë të ardhura për bizneset dhe familjet shqiptare, duke përmirësuar bilancet e tyre financiare dhe duke rritur qëndrueshmërinë e burimeve të rritjes”, -tha Sejko.

Guvernatori bëri të ditur se deficiti i llogarisë korrente zbriti në 7.7% të PBB-së gjatë vitit 2021, kundrejt nivelit 8.7% të regjistruar një vit më parë.

Në planin fiskal, rritja ekonomike dhe rënia e deficitit buxhetor sollën reduktimin në 73.2% të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së, nga niveli 74.5% i regjistruar në vitin 2020. (Fatosi)