Konferenca Antikorrupsion (Foto Rtsh)

Konferenca Antikorrupsion (Foto Rtsh)

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, deklaroi gjatë Konferencës Antikorrupsion, se shërbimet online duhet të ofrohen edhe në qeverisjen vendore, pasi digjitalizimi dhe zhvillimi i sistemeve parandalojnë korrupsionin, ulin evazionin dhe reduktojnë informalitetin.

Ajo vlerësoi edhe procesin e fiskalizimit që përmbyllet në fund të qershorit, si një element kyç në luftën kundër korrupsionit, evazionit dhe uljen e informalitetit, bën të ditur “RTSH”.

“Sektori privat bashkë me qeverinë duhet të punojnë së bashku, që kjo dukuri të eliminohet. Kemi fuqizuar mekanizmat e kontrollit nëpërmjet digjitalizimit duke rritur transparencën dhe bashkëpunimin e bizneseve me individët. Fiskalizimi është një ndër hapat kundër korrupsionit që përmbyllet si proces në fund të qershorit. Automatizimi i mbledhjes së të dhënave, ka nisur që prej 2015-s dhe pritet që të shtrihet edhe në sistemet vendore”, -deklaroi ministrja Ibrahimaj.

Sipas saj, përdorimi i mjeteve teknologjike për të rritur besueshmërinë e institucionit, ndërtimi i sistemeve automatike në gjendje për të shkëmbyer informacion në kohë reale me vendet e tjera, për të reduktuar evazionin, digjitalizimi i shërbimeve në masë janë disa masa për të luftuar korrupsionin. (Fatosi)