Kryediplomatja shqiptare Olta Xhacka (Foto Facebook ministrja e Jashtme)

Kryediplomatja shqiptare Olta Xhacka (Foto Facebook ministrja e Jashtme)

Ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ndërsa kryesoi debatin e nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit mbi axhendën “Gratë, Paqja dhe Siguria”, në New York, bëri thirrje për forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimin me organizatat rajonale që zëri i grave të dëgjohet në Këshillin e Sigurimit, njofton “RTSH”.

“Ne duhet të forcojmë bashkëpunimin dhe koordinimin me organizatat rajonale, që zëri i tyre të dëgjohet në Këshillin e Sigurimit. Tani është koha që bashkëpunimi me organizatat rajonale të çohet në një nivel të ri. Ky bashkëpunim është veçanërisht jetik në ato vende ku ka ndërprerje të angazhimeve për agjendën “Gratë, Paqja dhe Siguria””, -tha Xhaçka.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në fjalën e tij, deklaroi se konfliktet e fundit që po ndodhin në botë dhe krizat e përshkallëzuara, po përforcojnë pabarazinë gjinore.

Sekretarja e përgjithshme e OSBE-së, Helga Maria Schmid, u shpreh se pasojat e konfliktit Rusi-Ukrainë po kërcënojnë sigurinë ushqimore dhe energjetike. Ajo theksoi se roli i grave në ndërtimin e paqes dhe zgjidhjen e konflikteve, është prioriteti kryesor i OSBE-së.

Ambasadorja e BE-së për Çështjet Gjinore dhe Diversitetin, Stella Ronner-Grubačić, e vuri theksin te nevoja për më shumë vëmendje dhe përfshirje të grave në dialogun politik. (Fatosi)