Festivali “Sunny Hill”, që ishte planifikuar të organizohej në Prishtinë, do të zhvendoset në Tiranë. Lajmi u konfirmua në faqen zyrtare të festivalit, ndërsa Dukagjin Lipa, themelues dhe organizator i këtij festivali, ka deklaruar se shkak i kësaj zhvendosje është bërë zvarritja e procedurave në Kosovë, citon “RTSH”.

Me një postim në “Facebook”, Dukagjin Lipa, babai i këngëtares së njohur, Dua Lipa, ka akuzuar autoritetet në Kosovë se nuk i kanë kthyer as një përgjigje përfundimtare për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin.

Nga ana tjetër, ky lajm është mirëpritur nga kryeministri Edi Rama, i cili shkruan në “Facebook” se këngëtarja Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë kryeqytetin.

“Festivali “Sunny Hill” vjen në Tiranë, ku në javën e parë të gushtit, Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë netët e kryeqytetit me shkëlqimin e tyre. S'ka si Tirona, jo”, -shkruan Rama.

Ky festival do të mbahet në Tiranë nga 4 deri më 7 gusht 2022. (Elona)