Foto nga VCG

Kryeministri Edi Rama ka firmosur zyrtarisht kërkesën që Shqipëria të anëtarësohet në Mekanizmin Mbrojtës të BE-së. Lajmi është bërë publik gjatë një takimi që kreu i qeverisë ka zhvilluar me komisionerin e BE-së për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenercic.

Sipas kryeministrit Rama, falë ndihmës së komisionerit qeveria shqiptare ka marrë ndihmë nga ky mekanizëm në përballjen me zjarret e rënda të vitit të shkuar, ku mjetet e rënda që u përdorën nga shtete si Holanda apo Çekia i përkisnin këtij mekanizmi, bën të ditur “RTSH”.

“Evropa këtë mekanizëm e ka ngritur për të përballuar së bashku ndikimin e ndryshimit të klimës dhe pasojat e ndryshimit të klimës në mjedisin tonë. Jo vetëm kaq, por edhe për t’u përballur me krizat e rënda. Ky mekanizëm është në krye të përpjekjes për të garantuar mbështetje të madhe për Ukrainën. Anëtarësimi i Shqipërisë në këtë mekanizëm të mbrojtjes civile është një hap domethënës dhe një lehtësim i madh për ne duke pasur parasysh nevojat që kemi. Nuk bëhet fjalë vetëm për të marrë, por edhe për të dhënë. Dua të falenderoj komisionerin”, -tha Rama.

Ndërsa eurokomisioneri për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenercic, në komentin e tij u shpreh se e mbështet këtë kërkesë. (Elona)