Foto: RTSH
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe organizata globale mjedisore “Patagonia” nënshkruan në Tiranë Memorandumin e Mirëkuptimit për shpalljen e zonës së lumit të Vjosës Park Kombëtar, njofton “RTSH”.
Sipas kryeministrit shqiptar Edi Rama, Memorandumi i Mirëkuptimit vulos një kurorëzim të pandashëm të natyrës me njeriun, si projekti më i ri dhe më ambicioz për zhvillimin e qëndrueshëm të vizionit “Shqipëria 2030”.
Sipas tij, ky është një moment shumë i rëndësishëm, pasi Vjosa do të prodhojë ardhmëri. “Vizioni i qeverisë për “Shqipërinë 2030” është çuarja në 30% e pjesëve të mbrojtura në territorin shqiptar”, -tha Rama, i cili kujtoi se në Vjosë ishin planifikuar të ndërtoheshin disa hidrocetrale, tashmë të anuluar.
Lumi Vjosa ka një gjatësi prej rreth 272 km, prej të cilave 192 km brenda territorit të Shqipërisë. Vjosa konsiderohet si lumi i fundit i egër në Evropë dhe shërben si habitat i mbi 1100 specieve, shumë prej të cilave në rrezik zhdukje në rang global.