Në Shqipëri kanë nisur përgatitjet për ceremoninë e betimit të presidentit të ri të Republikës, Bajram Begaj, që ka karakter solemn, pak javë nga nisja e detyrës. Më 24 korrik 2022, ceremonia pritet të nisë në orën 18:00 në Parlamentin e Shqipërisë.

Seancën do ta drejtojë kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. Pas leximit të formulës së betimit, presidenti Begaj do të betohet para deputetëve të Kuvendit, dhe do të mbajë një fjalë përshëndetëse, bën të ditur “RTSH”.

Ceremonia e dytë do të zhvillohet në ambientet e Presidencës. Ajo është parashikuar të zhvillohet në orën 19:30. Në këtë ceremoni bëhet dorëzimi i detyrës nga presidenti aktual, Ilir Meta, i cili mësohet se do të shoqërohet nga familja e tij.

Në mënyrë simbolike kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tushaj, do t’i dorëzojë presidentit Begaj, Kushtetutën e Shqipërisë.

Pjesë e ceremonialit do të jetë dhe shoqërimi i emërimit të kreut të shtetit me 21 të shtëna topi.

Pas këtij ceremoniali, presidenti i ri do të mbajë një fjalë përshëndetëse para personaliteteve të ftuara në këtë aktivitet, si edhe qeveritarëve dhe trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri. (Irma)