Foto: RTSH

Foto: RTSH

Enti Rregullator i Energjisë në Shqipëri ka licencuar kompaninë “Karavasta Solar”, nënkontraktore e kompanisë franceze “Voltalia”, që po ndërton parkun fotovoltaik më të madh në Shqipëri, njofton “RTSH”.

“Voltalia” fitoi tenderin ndërkombëtar me çmimin 24.89 euro për megavat, që u vlerësua nga autoritetet si i jashtëzakonshëm nga autoritetet shqiptare.

Ky investim me një vlerë prej më shumë se 100 milionë eurosh, është parku fotovoltaik më i madh i projektuar në vend me 140 MW.

70 megavat janë të ndarë për prodhim dhe shitje në treg të lirë dhe 70 megavat me çmim të rregulluar. Çmimi i rregulluar zgjat për 15 vite dhe do të blihet nga OSHEE.

Projekti i Karavastasë është parku i dytë për të cilin u hap një garë ndërkombëtare.

I pari ishte Akërnia që në vitin 2018, i cili u fitua nga kompania “India Power”, për një çmim 59.9 euro/MWh, por vonesat e nënshkrimit të kontratës dhe konfliktet mes ministrisë dhe investitorëve e zvarritën atë për një kohë të gjatë.

Me dy projektet e fermave fotovoltaike të Spitallës dhe Karavastasë, me një kapacitet total prej 240 megavat dhe një shumë të vlerësuar prej rreth 120 milion euro, kompania franceze “Voltalia” është bërë investitori i parë i huaj në Shqipëri.

Këto impiante të ardhshme, do të realizohen për 18 muaj dhe përfaqësojnë konsumin e rreth 375.000 njerëzve, ose 13% të popullsisë shqiptare.

Ato vlerësohen si infrastruktura diellore më e rëndësishme në të gjithë rajonin e Ballkanit.